Gjilani nis trajtimin e qenve endacakë, kontratë 3-vjeçare për zgjidhje afatgjatë

Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen afatgjatë të problemit të qenve endacakë, një shqetësim që ka prekur jo vetëm këtë qytet, por mbarë Kosovën.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata e re trevjeçare në vlerë prej 300 mijë eurosh, për trajtimin profesional të qenve endacakë, duke përfshirë kastrimin, sterilizimin dhe kujdesin veterinar sipas standardeve më të larta.

“Gjilani zgjidh përfundimisht çështjen e qenve endacakë”, u shpreh Hyseni, duke theksuar se në vitet e kaluara janë trajtuar mbi 900 qen, ndërsa pritet që trajtimi të rifillojë në ditët në vijim.

Ky projekt synon jo vetëm reduktimin e numrit të qenve në rrugë, por edhe rritjen e sigurisë dhe mirëqenies në komunitet, përmes një qasjeje humane dhe të qëndrueshme.