Transferimi që i kushtoi Real Madridit 30 milionë euro largohet pa luajtur asnjë ndeshje

Reinier Jesus, lojtari i harruar i Real Madridit, raportohet se ka arritur marrëveshje për t’u bashkuar me klubin brazilian Atletico Mineiro me një transferim të lirë.

Sipas ESPN, Reinier do të nënshkruajë një kontratë për katër vite e gjysmë, që do të zgjasë deri në vitin 2030, ndërsa kontrata e tij me Real Madridin pritet të zgjidhet së shpejti.

Mesfushori ofensiv iu bashkua ‘Los Blancos’ në vitin 2020 nga Flamengo, por nuk bëri asnjë paraqitje me ekipin e parë.

Ish-reprezentuesi i grupmoshave U23 të Brazilit ka qenë në huazim në Borussia Dortmund, Girona, Frosinone dhe së fundmi Granada, por tani do të rikthehet në Amerikën e Jugut, pas një eksperience të pafrytshme në ‘Santiago Bernabeu’.

Raporti shton se Real Madridi do të përfshijë një klauzolë 50 për qind në rast rishitjeje, në përpjekje për të rikuperuar sadopak nga investimi prej 30 milionë eurosh që klubi bëri mbi pesë vite më parë.

Reinier ishte pjesë e ekipit të Brazilit që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’ (të mbajtura në 2021 për shkak të pandemisë), dhe gjithashtu mori një medalje fituesi me Dortmundin në Kupën e Gjermanisë në vitin 2021.

Pritet që Reinier, i cili ka bërë tre paraqitje për ekipin B të Madridit në sezonin 2019/2020, të prezantohet si lojtar i Atletico Mineiros gjatë kësaj jave.

Ai madje mund të bëjë debutimin e tij kundër klubit të tij të mëparshëm Flamengo të mërkurën, ose nëse jo atëherë, në ndeshjen si mysafir ndaj Vasco da Gamas të dielën e ardhshme./Telegrafi