Të paktën 18 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Spitalet në Gaza raportuan vdekjen e të paktën 18 palestinezëve nga zjarri izraelit të shtunën dhe sipas zyrtarëve tetë prej tyre që ishin në kërkim të ushqimit.

Palestinezët po përballen me rreziqe të mëdha në përpjekjet e tyre për të siguruar ushqim, në një situatë ku ndihmat po shpërndahen nga ajri dhe hyrja tokësore është shumë e kufizuar, raporton AP.

Pranë një pike shpërndarjeje të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), Yahia Youssef, i cili kishte ardhur të kërkonte ndihmë në mëngjesin e së shtunës, përshkroi një skenë të mbushur me panik, që sipas tij, tashmë është bërë diçka e zakonshme.

Pasi ndihmoi në transportimin e tre të plagosurve nga plumbat, ai tha se përreth në tokë pati edhe shumë të tjerë të plagosur.

Në përgjigje të pyetjeve rreth disa dëshmive të dhunës pranë pikës më veriore të katër pikave të shpërndarjes të menaxhuara nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli, zyra e medias e GHF-së tha se “asgjë nuk ndodhi në apo pranë pikave tona të shpërndarjes së ndihmës”.

Ngjarja ndodhi një ditë pasi zyrtarë amerikanë vizituan një nga këto pika, dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e quajti shpërndarjen nga GHF “një arritje të jashtëzakonshme”.

Rreziku me të cilin përballen ata që kërkojnë ndihma në Gaza e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën, të cilën ekspertët ndërkombëtarë për urinë e përshkruan këtë javë si “skenarin më të keq të mundshëm të urisë masive” në enklavën e rrethuar. Fushata ushtarake gati 22-mujore e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar sigurinë në territorin me rreth 2 milionë palestinezë dhe e ka bërë pothuajse të pamundur shpërndarjen e sigurt të ushqimit për njerëzit që po vdesin nga uria.