IKD-ja kritikon Hekuran Muratin: Jetesa po bëhet më e shtrenjtë, qytetarët po kursejnë në nevoja bazike

Hekuran Murati, ministër i Financave, është kritikuar nga përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për neglizhimin e ndikimit real të inflacionit në jetën e përditshme të qytetarëve.

Eugen Cakolli nga IKD-ja tha se përkundër rritjes së qarkullimit të bizneseve, fuqia reale blerëse e qytetarëve ka rënë ndjeshëm.

“Një bukë që dikur kushtonte 35 cent, sot është 60. Për një familje, kjo do të thotë më pak para për nevoja të tjera. Kjo s’është vetëm statistikë ekonomike – është realitet i përditshëm,” tha Cakolli. Sipas tij, rritja e çmimeve po interpretohet si zhvillim ekonomik, por në praktikë qytetarët po e ndjejnë vetëm rritjen e kostos së jetesës.

IKD-ja kërkon nga institucionet më shumë transparencë dhe masa konkrete për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve.