U sulmuan dy policë në Viti, reagon sindikata
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin që u është bërë dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre persona të dyshuar në fshatin Drobesh të Vitisë.
Gjatë sulmit që ndodhi në një tentim-arrestimi të tre të dyshuarve, policët janë lënduar dhe si rrjedhojë kanë pranuar tretman mjekësor.
Kjo sindikatë i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm.
Njëkohësisht, Sindikata e Policisë së Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë – pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike – si dhe ta mbështesin Policinë e Kosovës si institucion kyç për sigurinë, rendin dhe zbatimin e ligjit në vend”.
“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.