Një klub befasues nga Anglia i është bashkuar garës për transferimin e Chiesas

Një klub i Ligës Premier thuhet se ka shprehur interes për një huazim të mundshëm të sulmuesit të Liverpoolit, Federico Chiesa, i cili është lidhur gjithashtu edhe me Celtic. 

Chiesa iu bashkua Liverpoolit nga Juventusi verën e kaluar për 10 milionë euro dhe nënshkroi kontratë katërvjeçare me ‘Të Kuqtë’. 

Megjithatë, sezoni i tij i parë në Angli nuk shkoi siç kishte shpresuar, pasi ai u paraqit vetëm në 14 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe dhënë dy asistime. 

Sipas raportimeve të mëhershme nga Corriere dello Sport, Roma, Juventusi dhe Napoli kanë shfaqur interes për Chiesan, ndërsa këtë javë Calciomercato raportoi se edhe Fenerbahce e Jose Mourinhos po konsideron transferimin e tij. 

Ndërkohë, kampionët e Skocisë, Celtic, gjithashtu janë të interesuar për lojtarin, ndërsa kërkojnë të mbrojnë titullin nën drejtimin e Brendan Rodgers.  

Sipas La Repubblica, Celtic po mendon për një huazim dhe jo transferim të përhershëm, por mund të përballen me konkurrencë nga një klub befasues i Ligës Premier. 

Raporti tregon se Fulhami i Marco Silvas është gjithashtu në garë për huazimin e mundshëm të italianit.  

Deri tani, klubi nga Londra ka bërë vetëm një përforcim këtë verë,  portierin Benjamin Lecomte nga Montpellier. 

Chiesa ka kontratë me Liverpoolin deri në qershor të vitit 2028, por nëse qëndron, ka gjasa të vazhdojë të ketë pak minuta në dispozicion, për shkak të ardhjeve të Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike në fazën sulmuese, si dhe pranisë së padiskutueshme të Mohamed Salahut në krahun e djathtë.