Ish-presidenti kolumbian dënohet me 12 vite arrest shtëpie për manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim
Ish-presidenti i Kolumbisë, Álvaro Uribe, është dënuar me 12 vite arrest shtëpie nga një gjykatë në Bogotá, nën akuzat për manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim. 73-vjeçari bëhet kështu ish-presidenti i parë në historinë e vendit që dënohet penalisht. Përveç dënimit, atij i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe është gjobitur me rreth 578 mijë dollarë amerikanë.
Uribe, i cili ka mohuar vazhdimisht akuzat, deklaroi para gjykatës se do të apelojë vendimin, duke e cilësuar procesin si një përpjekje për të “shkatërruar një zë të opozitës demokratike”.
Ai ka shërbyer si president i Kolumbisë nga viti 2002 deri në vitin 2010 dhe mbetet një figurë e njohur në politikën kolumbiane, pavarësisht akuzave të hershme për bashkëpunim me grupe paramilitare të djathta në përpjekje për të luftuar guerilët e majtë një akuzë që ai e ka mohuar kategorikisht.
Çështja kundër tij ka zgjatur rreth 13 vjet dhe përqendrohet në dëshmitë e dy ish-pjesëtarëve të grupeve paramilitare, të cilët pohuan se ish-avokati i Uribes, Diego Cadena, u kishte ofruar para në këmbim të dëshmive në favor të klientit të tij. Cadena, që përballet gjithashtu me akuza, i ka mohuar pretendimet dhe ka dëshmuar në gjykatë bashkë me ish-paramilitarë të tjerë në mbështetje të Uribes.
Reagime të forta ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e dënoi vendimin ndaj Uribes, duke akuzuar sistemin gjyqësor kolumbian se është “instrumentalizuar”. “Krimi i vetëm i Uribes ka qenë përkushtimi i tij për të mbrojtur atdheun,” shkroi Rubio në rrjetin social X.
Grupet paramilitare në Kolumbi u shfaqën në vitet 1980, me synimin e deklaruar për të luftuar varfërinë dhe margjinalizimin. Ato përballuan grupet guerile marksiste, të cilat për dekada kishin luftuar kundër shtetit. Gjatë këtij konflikti, shumë prej grupeve të armatosura u përfshinë në trafikun e kokainës, duke krijuar rivalitete të ashpra për kontrollin e rrugëve të trafikut dhe burimeve.
Uribe është vlerësuar nga Uashingtoni për qëndrimin e ashpër ndaj guerilëve të majtë të FARC-it, megjithëse ka qenë një figurë përçarëse në politikën kolumbiane. Kritikët e akuzojnë atë për dështim në përmirësimin e pabarazisë dhe varfërisë në vend.
Marrëveshja e paqes me FARC-in u arrit në vitin 2016 nga pasardhësi i Uribes, por dhuna nga grupe të çarmatosa vazhdon ende në disa zona të Kolumbisë./abcnews