Zjarrfikësit në Prishtinë pajisen me ndriçues taktikë të teknologjisë së avancuar
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit ka realizuar një tjetër investim të rëndësishëm për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, furnizimin me bateri ndriçuese taktike të teknologjisë së avancuar, të dizajnuara për përdorim në kushte të vështira operacionale.
Sipas njoftimit, pajisjet ndriçuese “Nightstick” janë të certifikuara për rezistencë ndaj ujit, pluhurit dhe goditjeve, duke siguruar ndriçim maksimal dhe besueshmëri të plotë gjatë ndërhyrjeve emergjente, sidomos gjatë natës apo në hapësira të mbyllura me dukshmëri të ulët.
“Ky investim është pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për të përmirësuar pajisjet dhe sigurinë e ekipeve të zjarrfikësve, në funksion të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.