Miftaraj: Çdo vendim që merret nga ministrat-deputetë është i kundërligjshëm

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se vendi ka hyrë në një situatë ku edhe vetë shteti po funksionon në mënyrë të kundërligjshme, me arsyetimin se çdo vendim i marrë nga ministrat në detyrë që njëkohësisht ushtrojnë edhe funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, është në kundërshtim me ligjin.

“Është përgjegjësi e secilit deputet të Kuvendit të Kosovës të dalë jashtë petkut të partisë dhe të vërë në rend të parë interesat strategjike të vendit. Po e përsëris: pesë vdekje javën e kaluar, RTK-ja pa buxhet, numri më i madh i institucioneve duke funksionuar me ushtrues detyre – pra në mënyrë të kundërligjshme. Po hyjmë në një situatë ku tashmë kemi një shtet të kundërligjshëm. Çdo vendim i marrë prej ministrive është i tillë. Për ta riparuar këtë, duhet një Kuvend funksional, një Qeveri e re dhe ndryshim i formës së qeverisjes”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se problemi me ushtruesit e detyrës nuk është i ri dhe nuk ka ndodhur brenda natës, por është një proces i gjatë.

Sipas tij, përveç legjitimitetit, është jetike që të ekzistojë edhe legaliteti.

“Legjitimiteti është shumë i rëndësishëm dhe ai u tregua më 9 shkurt, kur u pa se cila parti i ka fituar zgjedhjet. Por ky legjitimitet nuk ka asnjë vlerë nëse nuk shoqërohet me parimin tjetër shumë më të rëndësishëm: legalitetin”, tha ai.

Miftaraj tha se qeveria “Kurti II” ka pasur legjitimitet dhe legalitet deri në momentin kur është bërë certifikimi i deputetëve të rinj në Kuvend.

“Sikur të kishim një shtet ku mbizotëron sundimi i ligjit, ku Kushtetuta dhe ligji respektohen, sot institucionet nuk do të ishin në kaos. Aktualisht, rreth 70-80% e ministrive, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura, nëse zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme, shumica e stafit nuk kanë të drejtë të marrin vendime”, deklaroi Miftaraj.

Ai sqaroi se sipas Gjykatës Supreme, ushtruesit e detyrës që e kanë tejkaluar afatin nuk kanë të drejtë të marrin vendime.

“Nëse ushtruesi i detyrës së drejtorit në Thesarin e Shtetit, i cili ka ekzekutuar pagat për 87 mijë shërbyes civilë, është në kundërshtim me ligjin, atëherë ai e ka shkelur ligjin. Mund ta kesh legjitimitetin, por nëse nuk e ke legalitetin, atëherë është vepër penale”, përfundoi Miftaraj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten organizoi një takim diskutues me temën: “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Kjo ngjarje u mbështet nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë.