Hargreaves: Dua Lipa, krenari e përbashkët e Britanisë dhe Kosovës
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar me fjalë mirënjohjeje e krenarie pas ceremonisë së organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për dhënien e nënshtetësisë së Kosovës këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori britanik u shpreh se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova e ndajnë krenarinë për talentin e Lipës, duke e konsideruar atë një prej të vetëve.
“Britania dhe Kosova janë të dyja krenare që e kanë Dua Lipën. Faleminderit Presidente Osmani për ftesën në ceremoninë speciale të dhënies së nënshtetësisë së Kosovës për Dua Lipën. Ishte nder të takoja Duan dhe të festoja një talent të tillë të përbashkët britaniko-kosovar”, shkroi ai, duke shtuar se mezi pret performancën e saj në mbrëmjen e së premtes në kuadër të “Sunny Hill Festival”.
Dua Lipa do të ngjitet për herë të tretë në skenën kryesore të këtij festivali, të cilin ajo e nisi në Prishtinë në vitin 2018.
Ambasadori britanik ftoi gjithashtu qytetarët që të vizitojnë këndin britanik në festivalin e sivjetmë.