Aktakuzë ndaj dy personave për kanosjen e Albin Kurtit
Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja”.
Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K. [Faton Klinaku], me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar, tani të dëmtuarin A.K. [Albin Kurti], në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese, transmeton Zeri.info.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet:
“... Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.
“Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin A.K. përmes postimeve publike në rrjetin social Facebook, për shkak të funksionit të tij, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.”, thuhet në njoftim. /Zëri