Reagojnë sindikalistët: Brenda 7 muajve po e varrosim punëtorin e 21-të

Federale Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës kanë reaguar për vdekjen e punëtorit 40-vjeçar në Drenas, pas rënies nga lartësia në vendin e punës në kulmin e një ndërtese.

Në reagimin e tyre thuhet se kjo është vdekja e 21-të në vendin e punës në 7 muajt e parë të vitit dhe se kjo situatë është alarmante.

“Sot varrosim punëtorin e 21-të, vetëm për 7 muajt e parë të këtij viti. 2025-a ka filluar me periudhën me fatkeqe që nga pas lufta. Nga janari deri me sot përcjellim 21 jetë të punëtorëve, të cilët shkuan për të fituar ndershëm bukën e gojës, por fatkeqësisht 21 familje mbeten pa babën, burrin, vëllain, fëmijën e tyre”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej në reagim thuhet se institucioneve u është kërkuar pension për familjarët e tyre.

“Pas shumë kërkesave për institucionet shtetërore që të ulemi dhe bisedojmë për këto raste, pushteti ka zgjedhur injorimin e kërkesave sindikale ku kemi kërkuar që në raste të tilla ajo çka me se paku mund të bëjë pushteti, të ketë një pension solid për këto familje sepse edhe fëmijët e këtyre familjarëve kanë të drejtë në ekzistencën minimale të jetës së tyre”, thuhet në reagim.

Dje u raportua për vdekjen e viktimës me inicialet N.Xh., si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.

N.Xh. rreth 40 vjeç nga Drenasi, ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve në një kulm ndërtese, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku përkundër përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.