Ekspozita që ndriçon tetë mijë vjet histori hapet sonte në Muzeun e Mitrovicës

Ekspozita “Mitrovica Neolitike” hap dyert sonte, më 31 korrik, duke filluar nga ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.

Ky është një rikonceptim i ekspozitës arkeologjike që hedh dritë mbi fillesat e jetës së qëndrueshme në territorin e Mitrovicës, të dokumentuar që më shumë se 8 mijë vjet më parë, duke ofruar vizitorëve një pasqyrë të pasurisë kulturore dhe historike të kësaj treve.
Kuratorët e ekspozitës janë Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala, të cilët kanë përzgjedhur dhe prezantuar artefakte të rëndësishme që dëshmojnë për jetën neolitike, stilin e jetesës, zhvillimin bujqësor dhe përparimet e hershme shoqërore në këtë rajon.

Ekspozita vjen si një nismë për të forcuar ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë arkeologjike të Kosovës dhe për të krijuar ura të reja mes publikut dhe së kaluarës së hershme të vendit. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me objekte autentike dhe interpretime vizuale që tregojnë historinë e qytetërimit të hershëm në Mitrovicë. /kultplus