Dënimi i Pleskoviqit për krime lufte, nëna e viktimave: Pak janë 15 vjet, m’i ka mbyt dy djem

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin për krime lufte në Kosovë.

Pas seancës janë deklaruar nëna dhe motra e dy viktimave të Pleskoviqit.

Nëna e dy viktimave tha se ka qenë Milloshi ai që i ka vrarë dy djemtë e saj.

‘‘M'i ka myt dy djem Milloshi, 29 vjet i kanë pas’’, ka thënë ajo.

Ndërsa motra e viktimave tha se vendimi i Gjykatës prej 15 vjetëve është shumë pak dhe se Pleskoviqi duhet të dënohet më shumë.

Ajo ka thënë edhe se i dënuar për krime lufte i ka njohur viktimat, pasi ka qenë në lagje me ta.

‘‘Ai m’i ka myt vllaznit e mi, edhe pak është gjykata që e ka dënu, pak është, ato duhet përjetë se qeshtu po bëjnë edhe po shkojnë. Ai i ka ngjoftë vllaznit e mi, ai po paraqitet që s’i ka ngjoftë po qaty në mahallë tonë janë kanë ata, ai është Milloshi. Pak është dënimi, shumë pak është dënimi. Ai mi ka masakruar vllaznit e mi. Pak është, shumë duhet. Nuk është që m’i ka myt veç vllaznit e mi, ai i ka myt krejt edhe të Prizrenit që janë kanë. Krejt nanat po kajnë. Pak është kjo që e ka dhanë gjykata. I ka nxanë vllaznit e mi në mal, i ka myt edhe i ka masakruar’’, ka thënë ajo.