Konfirmohen rastet e para të “gjuhës së kaltër” në Kosovë
Në Kosovë janë konfirmuar rastet e para të sëmundjes virale “gjuha e kaltër” në dy ferma: njëra në komunën e Prishtinës dhe tjetra në komunën e Lipjanit.
Drejtori i Shëndetit dhe i Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, Sadik Heta, tha se tashmë janë ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
“Kemi pasur konfirmimin e dy rasteve me sëmundjen “gjuha e kaltër” në dy ferma të ndryshme, njëra në Komunën e Prishtinës dhe tjetra në Lipjan. Bëhet fjalë për sëmundjen “gjuha e kaltër”, e cila është virale me karakter ekonomik, është duke qarkulluar edhe në vendet e rajonit, edhe të Evropës. Për shkak se ka qarkullim të kësaj sëmundjeje në vende të ndryshme të rajonit ne edhe më herët kemi marrë masa parandaluese për mospërhapjen e kësaj sëmundjeje, por fatkeqësisht kemi konfirmuar prezencën e kësaj sëmundjeje, e cila përhapet zakonisht nëpërmjet infektorëve, në rastin konkret mushkonjat që e transmetojnë përmes pickimit”, tha Heta.
Ai njoftoi se janë identifikuar pesë – gjashtë kafshë të infektuara dhe trajtohen me insekticid për të ndaluar mushkonjat që përhapin sëmundjen.
“Janë dy ferma të infektuara, njëra me sasi të krerëve rreth 200 dhe tjetra më pak. Nga këto kemi 5-6 kafshë të cilat janë diagnostikuar me këtë sëmundje. Kafshët janë momentalisht në gjendje stabile. Veterinerët janë duke marrë masa parandaluese të këtyre kafshëve, janë trajtuar me insekticid, bëjmë parandalimin e pickimit të mushkonjave në këto kafshë dhe tash për tash mund të them se situata është e qetë. Jemi duke e monituruar situatën në vend”, shtoi ai.
Në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së “gjuhës së kaltër”, Heta vë në dukje edhe ndalimin e importit të kafshëve dhe produkteve të derrit nga Serbia, shtet në të cilin po ashtu janë regjistruar rast të kësaj sëmundjeje.
“Trajtimi ose parandalimi i këtyre insekteve është vetëm nëpërmjet insekticidëve të ndryshëm. Ne kemi marrë masa. Shpresoj të mos ketë ferma të tjera të infektuara. Kemi marrë dy vendime: ndalim të kafshëve të gjalla nga Serbia pas shpërthimit të kësaj sëmundjeje edhe në Serbi si dhe për shpërthimin e murtajës tek derri. Duke pasur parasysh që sëmundja mund të transmetohet, sidomos nga derrat e egër, por edhe nga kafshët e kaltra, kemi marrë vendim që të ndalohet importi nga Serbia, jo vetëm i kafshëve të gjalla, por edhe produkteve të tjera të derrit”, tha ai.
Heta u bëri thirrje fermerëve të jenë syçelë dhe të kontaktojnë veterinerët në rast dyshimi.
“U bëjë apel fermerëve të kenë kujdes, të mos përziejnë kafshët me fermat e tjera, të kontaktojnë veterinerët në rast se kanë ndodhë dyshim. Ne do të intervenojmë”, tha Heta për Ekonominë Online.