Italia vlerëson ndërhyrjen humanitare të KFOR-it në Ujman
Pos Ambasadës së Britanisë, edhe ajo e Italisë ka reaguar mbi operacionin e kërkim-shpëtimit të kryer dje te liqeni i Ujmanit.
Ambasada e Italisë ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për Misionin e KFOR-it dhe komandantin e tij.
Në një reagim publik në Facebook, Ambasada theksoi se komandanti i KFOR-it veproi brenda kufijve të mandatit të tij, duke marrë parasysh rrethanat që kërkuan ndërhyrje urgjente për arsye humanitare.
“Ambasada e Italisë në Kosovë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Misionin e KFOR-it dhe për Komandantin e KFOR-it, i cili veproi brenda kufijve të mandatit të tij, në dritën e rrethanave të pafat që bënë të nevojshme ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare. Prandaj, Ambasada përsërit vlerësimin e saj të plotë për rolin pozitiv të luajtur prej kohësh nga misioni i KFOR-it në Kosovë”, thuhet në postimin e Ambasadës në Facebook.
Ndryshe, trupi i pajetë i Rrahim Latifit, 33-vjeçar nga diaspora u gjet dje pas dy ditësh kërkime.