Kafeja jo vetëm se ju këndell, por ju ndihmon edhe kundër kësaj sëmundjeje
Një filxhan kafe është thelbësore për mëngjesin e shumë njerëzve në mbarë vendin. Për shumë prej tyre, janë të nevojshme disa filxhanë në ditë për të përballuar ditën.
Tani, përveçse është mënyra më e mirë për t’u zgjuar në mëngjes, kërkime të reja kanë zbuluar se kjo pije e dashur mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
Studiues nga universitete në Korenë e Jugut përdorën të dhëna nga 149 publikime shkencore për të shqyrtuar efektet e kafesë në proceset metabolike që lidhen me zhvillimin e diabetit të tipit 2.
Sipas gjetjeve të tyre, ata që pinë nga tre deri në pesë filxhanë kafe në ditë përfitojnë nga përbërje natyrale të quajtura polifenole, sipas raportit të Healthline.
Studiuesit u përqendruan te pesë acide hidroksikinamike që gjenden në kafe dhe analizuan se si këto polifenole ndikojnë në zorrët e holla, pankreas, mëlçi dhe inde të tjera trupore.
U zbulua se konsumimi i përditshëm i kafesë së zezë mund të ndihmojë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak, të ulë inflamacionin, të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, të ofrojë veti antioksiduese dhe të përmirësojë përpunimin e glukozës në trup.
Rezultatet ishin të ngjashme si për kafenë me kafeinë, ashtu edhe për atë pa kafeinë, duke sugjeruar se përfitimet – përfshirë një ulje prej 20% deri në 30% të rrezikut për të zhvilluar diabetin e tipit 2 te ata që pijnë kafe rregullisht – vijnë nga përbërje të tjera përveç kafeinës.
Gjetjet u botuan në revistën International Journal of Molecular Sciences.
Studiuesit shkruan:
“Kafja dhe përbërjet e saj bioaktive, përfshirë acidin klorogjenik dhe derivatet e tij hidroksikinamike… kanë potencial të rëndësishëm në parandalimin dhe menaxhimin e diabetit të tipit 2”.
Zhaoping Li, profesoreshë e mjekësisë dhe drejtoreshë e Divizionit të Nutricionit Klinik në Universitetin e Kalifornisë, edhe pse nuk ishte pjesë e studimit, është shprehur se pajtohet me gjetjet e tij.