Raporti i IPK-së: Dyshohet për mospërputhje të gjobave për tejkalim shpejtësie
Inspektorati i Policisë e ka publikuar Raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fushën “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”.
Inspektimi në fjalë, është bërë për të realizuar praktikat e përdorimit të pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve si dhe bazuar në informacionet që IPK-ja kishte pranuar se zyrtarët policorë për arsye të ndryshme nuk i gjobisin kundërvajtësit për shkeljet që i kanë kryer.
“Inspektimi ad hoc ka ofruar mundësi për t’u njohur me përdorimin efektiv të këtyre pajisjeve dhe për të verifikuar nëse njësitë e trafikut i ekspozohen abuzimeve të mundshme”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Me këtë IPK-ja ka synuar të arrijë katër objektiva:
“identifikimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në rrugë, vlerësimi i përdorimit racional dhe efektiv të pajisjeve në rastet e rrezikimit të trafikut nga ngasësit që nuk respektojnë kufizimet për shpejtësinë e lejuar, si dhe vlerësimi i përputhjes së numrit të matjeve në raport me numrin e kundërvajtjeve dhe gjobave të shqiptuara”, thuhet tutje në njoftim.
Inspektimi ka vënë në pah se ka dobësi apo të meta në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Gjatë krahasimit të të dhënave në gjoba dhe atyre të regjistruara në radar gjatë inspektimit janë hasur katër natyra të mospërputhjeve:
– Shpejtësia e lëvizjes së mjetit e përshkruar në gjobë është më e ulët se ajo e regjistruar në radar (në 55 nga 84 mostra/gjoba);
– Shpejtësia e kufizuar në radar ndryshon nga ajo e regjistruar në gjobë (në 23 nga 84 mostra);
– Lloji i shkeljes në gjobë ndryshon nga ajo e matur me radar (në 3 nga 84 mostra);
– Shqiptohet gjobë për tejkalim të shpejtësisë në bazë të një neni (paragrafi) jo adekuat të ligjit (në 3 nga 84 mostra).
IPK-ja në kuadër të Raportit ka dhënë shtatë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një udhëzuesi lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes, mbajtjen e një trajnimi shtesë për të pajisur personelin me njohuri të mjaftueshme, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të dobësive sa i përket vendosjes së të dhënave në pajisjet e matjes, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje, përdorimit efektiv të automjeteve me pajisje inteligjente, monitorimit të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara nga pajisjet, aplikimit të praktikës së printimit të kundërvajtjeve etj.