Shkëndija nga toka rumune synon një tjetër hap drejt Evropës

Kampionia e Maqedonisë së Veriut në futboll, Shkëndija, ka zbarkuar dje në kryeqytetin rumun me synimin e qartë për të kaluar në fazën tjetër të kualifikimeve në Champions League.

Sonte me fillim nga ora 19:30, do të përballen me Steauan e Bukureshtit, në ndeshjen e kthimit të fazës së dytë të kualifikimeve.

“Kuqezinjtë” nga Tetova do të hyn në lojë me epërsinë e fituar në ndeshjen e parë të luajtur në Shkup, e cila përfundoi me rezultat 1:0 , falë golit të shënuar nga Alhasan.

Dueli i parë ishte një përballje shumë dinamike dhe dramatike, me shumë raste për të dy skuadrat dhe me dy kartona të kuq të ndarë , nga një për secilën skuadër.

Për këtë ndeshje, Shkëndija nuk do të mund të llogarit në shërbimet e Kamer Qakës, i përjashtuar në sfidën e parë, ndërsa te rumunët do të mungojë Florin Tënase, lojtari më i spikatur i ekipit të FCSB-së.

Lajm i mirë për trajnerin Jeton Beqiri është fakti se mund të ketë në dispozicion përforcimin më të fundit të ekipit, Arbin Zejnullain, i cili u aktivizua edhe në miqësoren e fundit ndaj Rabotniçkit.

Në rast se kampionët e Maqedonisë së Veriut, nuk mposhten sonte, atëherë do të shkruajnë histori, pasi do të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve.

Kjo do të nënkuptonte automatikisht pjesëmarrje të garantuar në fazën grupore të Conference League, si dhe shansin për të luajtur në play-off për fazën e grupeve të Ligës së Evropës.