Vrau axhën në Kijevë të Malishevës më 2023, dënohet me 19 vjet e gjashtë muaj burg

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 19 vjet e gjashtë muaj të pandehurin B.B, për vrasjen e axhës së tij, prillin e vitit 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, të akuzuarin B.B., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 28 prill 2023.

“I pandehuri B.B., akuzohet se me datë 28.04.2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë, Komuna Malishevë, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B., ashtu që ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B. po e rrokullisë arkën e betonit të marrë nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dalë nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë, ‘Ku po e çon gypin, nuk guxon ta marrësh’, viktima i thotë, ‘e marr se është e imja, se po më vyen me e dërguar te bunari’”.

“Atëherë, i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij, merr pistoletën gjysmë automatike e tipit ‘Crvena Zastava’ të kalibrit 9×19 m, dhe me t’u afruar te viktima në distancë prej 3-4 metra, gjuan drejt në trup të ndjerin S., ku viktima mundohet të ik më tej, por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra, ku janë sharë mes vete”.

“Me atë rast viktima, nga plagët e marra, thotë ‘o me vrajti, o me vrajti’, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ik edhe për nja 3-4 metra më tej, mirëpo i pandehuri e ndjek prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi, ku vdekja e të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë i datës 18.07.2023 nga ekspertit mjeko ligjor”, ka thënë Gjykata në njoftimin e lëshuar për media.

Me këtë rast është konfiskuar një pistoletë gjysmë automatike të tipit “Crvena Zastava” e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë fishekë të kalibrit 9x19mm i dizajnuar për pistoletë “Crvena Zastava”,  gjashtë fishekë të kalibrit 9x19mm si dhe një pushkë e gjuetisë me dy tyta e tipit “Huglu”, kalibrit 12 bore, një fishek i kalibrit 7.65x17mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale.

Gjykata njoftoi se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Më 27 maj 2024, Gjykata Themelore e Gjakovës e kishte dënuar të akuzuarin B.B. me 21 vjet burgim.

Përmes vendimit të përpiluar më 16 tetor 2024, Apeli e kishte si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dhe çështja kishte shkuar në rigjykim. /klankosova