Kurti takohet me ministrin evropian të Irlandës, flasin për Kosovën në BE

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka pritur ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne. Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrisë, është diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Temat qendrore të bisedës ishin marrëdhëniet bilaterale dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, dhe fuqizimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Kurti, bëhet e ditur se, ka falënderuar shtetin e Irlandës për kontributin për paqe dhe siguri në vend përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Kryeministri foli për rritjen e ekonomisë që Kosova ka shënuar në katër vitet e fundit dhe avancimin e demokracisë si dhe reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – me këtë rast theksoi rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për Kosovën mbi bazën e meritokracisë. Gjithashtu foli për investimet në mbrojtje dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas kritereve dhe standardeve të vendeve anëtare të NATO-s, dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Irlandën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, është theksuar edhe potenciali i vendit tonë në fushën e teknologjisë, mundësitë për investime që ofron dhe roli i diasporës ishin po ashtu pika të diskutimit, në të cilat u theksua shembulli i mirë që Irlanda përfaqëson në zhvillimin e industrisë së teknologjisë nga i cili mund të përfitojë Kosova, dhe modeli irlandez i organizimit të diasporës, të cilin po e zbaton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.