Gjermania, Franca dhe Britania planifikojnë vizitë të përbashkët në Izrael për Gazën

Ndërkohë që po rritet presioni ndërkombëtar për krizën e rëndë humanitare në Gazë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar se Gjermania, Franca dhe Britania po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të ministrave të tyre të jashtëm në Izrael javën e ardhshme për këtë çështje.

“Me shumë gjasë do të kërkojmë që tre ministrat e jashtëm të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë të udhëtojnë së bashku për në Izrael të enjten e ardhshme për të paraqitur qëndrimin e… tre qeverive”, është shprehur Merz në një konferencë shtypi në Berlin krah mbretit të Jordanisë, Abdullah II, raporton The Times of Israel.

Merz gjithashtu ka njoftuar se dy avionë gjermanë janë tashmë rrugës për në Jordani dhe mund të nisin misione ndihmash për Gazën që nga dita e mërkurë.

“Të dy avionët tip A400M do të furnizohen me karburant në Jordani dhe më pas do të nisin misionin e ndihmave brenda fundjavës, në bashkërendim me Francën dhe Gjermaninë,” ka thënë Merzi, duke shtuar se “kjo punë mund të japë vetëm një kontribut modest për ndihmën humanitare, por jep një sinjal të rëndësishëm: Ne jemi këtu, jemi në rajon,” është shprehur tutje ai.

Merzi gjithashtu ka përshëndetur hapat fillestarë të ndërmarrë nga Izraeli për lejimin e ndihmave, por ka theksuar se duhet të ndërmerren hapa të tjerë të mëtejshëm.