Arrestohen tre persona në Gjakovë, dyshohen për nëntë raste të vjedhjeve
Policia në Gjakovë ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për nëntë raste të vjedhjeve.
“Sot, më datë 29 korrik 2025, janë arrestuar tre persona të dyshuar: V.B., T.T. dhe I.C., (meshkuj, dy madhorë dhe një i mitur) mbi dyshimin për përfshirje në nëntë raste të vjedhjeve, ku cak ishin kabllot elektrike dhe pajisje pune nga objekte në ndërtim e sipër. Vlera e dëmeve materiale të raportuara është e konsiderueshme”.
Ata janë dërguar në mbajtje.
“Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale, si dhe në ofrimin e sigurisë për qytetarët”, thuhet në njoftim.