Haxhiu mohon komunikimin me Listën Serbe, pretendon se kishte vota në PDK dhe LDK

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, e cila nuk mori votat për t’u zgjedhur në këtë post, në një intervistë është pyetur nëse kishin shpresuar në votat e Listës Serbe në votimin e fshehtë.

Ajo ka thënë se nuk kanë pasur komunikim me ta, por ka pretenduar se kishte vota në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Nuk kemi pasur komunikim me ta, kam pasur vota në PDK-LDK”, ka thënë ajo.

”Ne kemi dëshmuar me veprime se jemi kundër Listës Serbe, pra kundër Listës Serbe që për mua nuk është subjekt politik”, është shprehur ajo.

Haxhiu kur është pyetur se pse nuk e kanë shpallur Listën Serbe organizatë terroriste ka thënë se fajtore për këtë është opozita.

”Ne kemi kundërshtuar brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që Lista Serbe të mos certifikohej, por se patëm mbështetjen nga partitë tjera”, ka thënë ajo.

”Vetëm po të ishim të unifikuar që të mos lejonim certifikimin e Listës Serbe, unë mendoj se nuk do të përballeshim me këtë situatë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe.

”Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe. Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka kërkuar Listës Serbe votë as në këtë rast as…”, ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiut i është përkujtuar edhe komunikimi me Listën Serbe, përkatësisht biseda mes Milan Radojçiqit dhe Mimoza Kusari-Lilës.

”Kemi diskutuar shumë për atë çështje, kemi thënë qëndrimet tona”, ka thënë Haxhiu./dukagjini