Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me prova në shtator
Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror.
Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e kenë më 15 gusht, procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, nuk pritet të rifillojë të paktën deri në shtator.
Pas kërkesës së ekipeve mbrojtëse, që paraqitja e provave të nis më 15 shtator, trupi gjykues ka lëshuar urdhër me të cilin ka pranuar këtë, teksa është treguar se më 19 gusht pritet të mbahet një konferencë përgaditore për mbrojtjen.
“Më 25 korrik 2025, Trupi Gjykues II lëshoi urdhër me të cilin caktoi 15 shtatorin 2025 si datë të synuar për fillimin e paraqitjes së provave nga Mbrojtja. Data do të konfirmohet në konferencën përgatitore për Mbrojtjen që do të mbahet më 19 gusht 2025. Paneli lëshoi gjithashtu edhe urdhra të mëtejshëm në lidhje me aspekte si listat e rishikuara të provave materiale dhe afatet për nxjerrjen e provave. Hollësitë përfshihen në vendimin e plotë, të cilin mund ta gjeni këtu.” DHOMAT E SPECIALIZUARA PËR KOSOVËN
Me nisjen e paraqitjes së provave nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, nis edhe periudha për përfundimin e këtij procesi gjyqësor.
“Procesi gjyqësor në Dhomat e specializuara në Hagë është në një fazë të rëndësishme të procesit ku rolin determinues do e ketë pala mbrojtëse me paraqitjen e dëshmitarëve dhe vet provave në këtë drejtim sic është paralajmëruar dy prej ish krerëve të Uçk-së, z.Thaçi dhe z. Krasniqi do paraqesin dëshmitarë, sipas dinamikës dhe numrit e dëshmitarëve që janë paralajmëruar natyrisht pres që të kemi përfundim të procesit brenda këtij viti, ose fillimin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.
Në anën tjetër, nga njohësit e drejtësisë puna e gjykatës, në këtë rast që është më i rëndësishmi që po zhvillohet, nuk është duke u parë me sy të mirë.
“Një mori e veprimeve kundërligjore që e kanë përkuar me këtë ecuri gjyqësore janë evidente është e paparë ligjerisht dhe në kundërshtim edhe me parimet themelore që në një procedurë, në një gjykatore në një rast të dëgjohen në të njëjtën kohë 2 dëshmitarë në rastin konkret që janë dëgjuar dy ekspert… Ka pasur edhe shkelje të tjera që i kemi thënë gjatë këtyre kohëve dhe nuk e di në bazë të këtyre veprimeve një gjykate e tillë do e merr një vendim të drejtë”, ka thënë Meshar Selimaj – Avokat.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e zyrës së prokuroorit të specializuar, janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë të propozuar nga ana e mbrojtësit të viktimave.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020 nën akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit./dukagjini