Policia jep detaje për 33-vjeçarin, që dyshohet se u mbyt në Ujman

Të dielën në mesditë një 33-vjeçar u hodh në liqenin e Ujmanit dhe më nuk u pa.

Kërkimet për gjetjen e trupit të mërgimtarit të ardhur nga Suedia për pushime në Kosovë, pos gjatë ditës së diel, do të vazhdojnë edhe sot.

Sakaq, në raportin e Policisë rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.

“Raportohet se viktima mashkull ishte futur në liqenin e Ujmanit, mirëpo nuk ka dalë më në sipërfaqe. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, Njësia për Kërkim dhe Shpëtim, Njësia e Zhytësve dhe ekipi nga Emergjenca, ku po vazhdojnë kërkimet për viktimën”, thuhet në raport.