Çfarë ndodhi midis Weahut dhe Juventusit dhe pse u acaruan marrëdhëniet mes palëve?
Marrëdhëniet mes Juventusit dhe Marseilles janë ftohur ndjeshëm, pavarësisht se bisedimet për transferimin e Timothy Weahut në Francë nisën me optimizëm. Tashmë, palët ndahen nga një diferencë prej 5 milionë eurosh – Marseille ka ofruar 15 milionë, ndërsa “Zonja e Vjetër” kërkon 20.
Por, përveç çështjes financiare, një tjetër problem ka shpërthyer në prapaskenë. Agjenti i Weah, Badou Sambague, ka lëshuar deklarata të ashpra në drejtim të një zyrtari të klubit, duke thelluar përçarjen mes palëve.
“Juve është një klub fantastik. Departamenti sportiv menaxhohet nga tre persona: dy kanë klas, një tjetër ende po e gjen veten në formë. Dy po kërkojnë zgjidhje, njëri po krijon probleme. Dhe ne nuk mund ta përballojmë këtë”, deklaroi ai.
“Tim Weah, gjithmonë profesionist, u la jashtë gjatë Kupës së Botës. Ata po presin një ofertë nga Liga Premier që nuk do të vijë dhe nuk do të miratohet kurrë nga ne. Këto janë metoda të vjetruara”, deklaroi ai.
Ndërkohë, më herët, Juventus kishte arritur një marrëveshje me Nottingham Forest për 15 milionë euro, por vetë Weah nuk arriti të pajtohej për kushtet personale të kontratës. /Telegrafi