Mbeturinat afër liqeneve rrezikojnë shëndetin, apelohet për kujdes

Brigjet e liqeneve po mbulohen gjithnjë e më shumë nga mbeturinat e hedhura pa kujdes. Ato jo vetëm që e shëmtojnë pamjen, por paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe cilësinë e ujit.

“Mbeturinat e ndryshme nga plastika dhe qelqi pranë shtratit të liqenit janë më tepër se ndotje në pamje. Ato thuhet se janë burim i rrezikshëm ndotjeje për vetë ujin që konsumojmë çdo ditë”. Kështu thotë Ilir Morina, njohës i çështjeve të mjedisit.

 Morina thekson se gjatë verës rreziku nga ndotja shtohet edhe më shumë. VOX: Ilir Morina, njohës i mjedisit.

 “Problemi kryesor janë mbeturinat qofshin ato plastike, qelqi apo edhe organike të cilat, përveç se dëmtojnë pamjen e liqenit, lëshojnë substanca kimike të rrezikshme që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ujit. Mbetjet organike shpërbëhen dhe ndikojnë negativisht në pastërtinë e ujit, duke dëmtuar edhe biodiversitetin””, tha Morina, raporton RTKlive.

 Edhe pse uji i liqenit i nënshtrohet trajtimit teknik para se të shpërndahet për konsum, faktorët kryesorë që çojnë në këtë gjendje shqetësuese, Morina  thotë se janë vetë ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve dhe menaxhimi i dobët institucional karshi mbeturinave.

Ai apelon për më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj burimeve jetike të ujit, duke theksuar se mbrojtja e tyre është domosdoshmëri për shëndetin publik dhe mjedisin./rtk