Vatra të reja të zjarreve në vend, gjendje e renduar në Dush të Klinës
Gjendja e zjarreve mbetet e brishtë në vend me vatra të reja të shfaqura sot, përfshirë një situatë të rënduar në fshatin Dush të Klinës. Përgjegjës nga Agjencia për Menaxhim Emergjent, ku treguar se për këtë rast është kërkuar ndërhyrja e KFOR-it, ndërsa Policia ka njoftuar për persona të lënduar, arrestime për zjarr-vënie dhe dëme të shumta materiale.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se Kosova ishte përballur të shtunën me mbi 100 vatra zjarri. Ai duke folur për radio Kosovën theksoi se situata ishte e rënduar mbrëmë, por ndërhyrjet e zjarrfikësve, mbështetja e agjencisë dhe reshjet e shiut ndihmuan në përmirësimin e gjendjes.
Por, drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Genc Metaj thotë se sot janë shfaqur zjarre të reja, teksa thekson se gjendja më e rënduar është në fshatin Dush të Klinës dhe kanë ftuar KFOR-in për ndihmë.
“Në fshatin Dush të Klinës për shkak të terrenit të papërshtatshëm kemi kërkuar ndihmën e KFOR-it me helikopter dhe jemi në pritje të përgjigjes. Përndryshe ekipet janë në terren dhe janë duke bërë të pamundur për lokalizim të zjarreve”, theksoi ai.
Metaj njoftoi se dy zjarrfikës janë lënduar, por janë jashtë rrezikut për jetë, dhe kërkoi vetëdijesim të qytetarëve për raportim të hershëm të zjarreve.
”Përpos dëmeve që janë shkaktuar në bujqësi e blegtori, humbje të jetës së njerëzve nuk janë raportuar. Për ndezje të zjarreve ka të arrestuar, mirëpo policia i ka të dhënat e sakta për ta. Ne i bëjmë apel qytetareve që të lajmojnë rastet, sepse forma më e mirë e parandalimit është kur vetëdijesohen qytetarët, sepse po vihet ne rrezik jeta e qytetarëve por edhe po shkaktohen dëme, qoftë private qoftë publike”, theksoi ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për zjarr-vënie në Pakashticë të Epërme, Lubizhdë, Pejë, Prekaz dhe Mitrovicë të Veriut, ku janë shkaktuar dëme në bujqësi, blegtori dhe pasuri private.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për veprime të koordinuara institucionale, ndërsa ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, punonjësit emergjentë dhe vullnetarët. Ajo, gjithashtu ka konfirmuar se FSK-ja është në gatishmëri për çdo ndihmë në rast nevoje.