Mërgimtari me Audi tejkalon përmes trotuarit në Gjilan, mediat në Zvicër e bëjnë lajm
Një manovër e rrezikshme e një Audi të zi me targa zvicerane po shkakton trazira aktualisht në Kosovë. Në vend që të priste, shoferi devijon djathtas mbi trotuar. Kështu shkruan gazeta zvicerane Blick.
Policia e Kosovës të premten ka njoftuar se për këtë rast në Gjilan, shoferi është gjobitur dhe është njoftuar shteti helvetik.
Shoferi, siç e përshkruan gazeta zvicerane, “nuk heziton gjatë dhe futet midis pemëve anash rrugës, djathtas në trotuar”.
“Audi i zi kalon para makinave që po prisnin dhe më pas kthehet sërish me një lëvizje të mprehtë majtas në rrugë. Fitimi i kohës: disa sekonda”.
Blick e ka pyetur për këtë shokun e shoferit i cili e filmoi “ngasjen e çmendur”.
“Ai edhe më herët po ngiste në mënyrë të dyshimtë, përshpejtonte vazhdimisht dhe më pas frenonte fort. Dhe papritur devijoi djathtas. Ndoshta nuk kishte durim të priste”, thotë ai.
Automjeti është i regjistruar mbi një burrë në kantonin Thurgau
“Kjo është një fyerje për zviceranët”, shkruhet në një koment nën videon në Facebook. Dhe pohohet se shoferi nuk do të guxonte kurrë të bënte një manovër të tillë në Zvicër.
Të tjerë shkruajnë se ndoshta ishte djali apo ndonjë i afërm i ri i pronarit të Audi-t që ia lejoi vetes këtë. Dhe herë pas here kërkohet që videoja t’u dërgohet autoriteteve zvicerane që shoferi i Audi-t të ndëshkohet.
Dhe çfarë thotë shoferi i Audi-t për këtë manovër? Automjeti është i regjistruar mbi një burrë në kantonin Thurgau. Për Blick, ai nuk ka qenë i qasshëm deri tani.