Man City përgatit 60 milionë euro për një mbrojtës anësor
Manchester City ka ende disa çështje të pazgjidhura përpara fillimit të sezonit të ri. Pas një qershori të qetë, klubi ka filluar të lëvizë për të forcuar skuadrën dhe për të rikthyer ritmin e zakonshëm të punës.
Edhe pse Pep Guardiola vazhdon të udhëheqë projektin, është e qartë se në klub po ndodh një fazë tranzicioni. Sezoni i kaluar u konsiderua një dështim, pasi City doli jashtë garës për të gjitha objektivat kryesore.
Për të përmirësuar situatën, klubi vendosi të investojë fuqishëm në merkaton e janarit, pas disa afateve të verës me lëvizje të kufizuara. Ndryshimet nisën para Botërorit për Klube, me disa prurje të reja dhe largime të rëndësishme.
Dy nga emrat më të njohur që u larguan janë Kevin De Bruyne dhe Kyle Walker.
Një nga boshllëqet që City kërkon të mbushë është ai në krahun e djathtë të mbrojtjes. Mungesa e një zëvendësuesi të denjë për Walker ka shtyrë klubin të rikthejë vëmendjen te Tino Livramento.
22-vjeçari anglez, që aktualisht luan për Newcastle United, është në listën e dëshirave të Guardiolës. BBC Sport raporton se City ka rinovuar interesin për të dhe lojtari është i hapur për një kalim në Etihad.
Livramento vlerësohet rreth 60 milionë euro dhe Newcastle, tashmë e shqetësuar për të ardhmen e Alexander Isak, mund të përballet me një tjetër presion në merkato. City synon të mbyllë këtë marrëveshje sa më shpejt.