Alternativa feston tetëvjetorin e themelimit me një pritje solemne

Alternativa sot shënon tetë vjetorin e themelimit të saj. Për nder të kësaj dite të rëndësishme, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, organizoi një pritje ku morën pjesë figura të shquara politike dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe atij vendor.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, përfaqësues nga ambasadat amerikane dhe franceze, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit.

Gjatë fjalës së saj, Kusari-Lila falënderoi bashkëthemeluesin e Alternativës, Ilir Dedën, duke theksuar se pavarësisht ndarjeve politike, besimi në demokracinë pluraliste i bashkon të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e partisë.

Në fjalimin e saj, Kusari-Lila u ndal në sfidat e mëdha me të cilat është përballur Kosova gjatë këtyre viteve, duke përfshirë pandeminë globale, konfliktet në rajon dhe dy sulmet terroriste të organizuara nga Serbia. Ajo theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë, besimit dhe unitetit të brendshëm për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Kusari-Lila nënvizoi gjithashtu nevojën për një sistem të drejtësisë të paanshëm dhe të pavarur, që të jetë shtylla kryesore e shtetit ligjor në Kosovë, duke rikujtuar se drejtësia nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë.

Vizioni i Alternativës përfshin ekonominë qarkore, mbrojtjen e mjedisit, promovimin e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe shërbimet publike të digjitalizuara, për të shfrytëzuar potencialin e madh që ka Kosova për zhvillim gjithëpërfshirës.

Kusari-Lila përmendi edhe mesazhet e fuqishme të fëmijëve, të cilët kujtuan se çdo vendim politik është përgjegjësi për jetën që ata do të jetojnë nesër.

“Mësojmë nga Martin Luther King Jr.: ‘Nuk është kurrë koha e gabuar për të bërë atë që është e drejtë.’ Ne jemi këtu për ta bërë të drejtën, edhe kur është e vështirë; për ta shtyrë Kosovën përpara, edhe kur rruga duket e ngushtë,” tha ajo.

Kusari-Lila shprehu angazhimin e Alternativës për një shtet me drejtësi të paanshme, zhvillim gjithëpërfshirës dhe mbështetje të palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.