Alarm në Zvicër, numri i cigareve kontrabandë në rritje, shumica vijnë nga Kosova
Ato nuk bien në sy, mezi dallohen – nëse janë cigare të kontrabanduara apo të falsifikuara.
Por ato janë një problem në rritje: Një total prej 300 milionë cigaresh hynë në tregun zviceran vitin e kaluar – një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin 2020. Kjo është ekuivalente me 15 milionë pako cigaresh.
Për t’i konsumuar ato, 1,000 njerëz do të duhej të pinin një pako çdo ditë për 41 vjet.
Dhe dëmi financiar është i konsiderueshëm, shkruajnë mediat zvicerane.
Sipas tyre, autoritetet tatimore zvicerane pësuan humbje prej 76 milionë frangash në taksat e duhanit vitin e kaluar.
Kjo është raportuar në një studim në shkallë të gjerë mbi konsumin e paligjshëm të cigareve në Evropë, ku firma konsulente shqyrtoi gjithsej 38 tregje evropiane.
Por çfarë bie në sy në këtë shkrim të mediumit zviceran, Blick.ch është se shumica e cigareve të importuara ilegalisht në Zvicër shkojnë nga Kosova (80 milionë), Serbia (20 milionë) dhe Portugalia (10 milionë).
Ndërkohë, më shumë se gjysma e mallrave të kontrabanduara nuk mund të identifikoheshin qartë gjeografikisht.
Ndërsa shitjet e cigareve të ligjshme ranë nga 9 miliardë në 7.5 miliardë midis viteve 2020 dhe 2024, konsumi i cigareve të paligjshme u rrit me 50 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Mediat zvicerane theksojnë se teksa pjesa e tregut të cigareve të paligjshme është 3.5 për qind e konsumit total në Zvicër – relativisht e ulët, ka një trend në rritjeje.
Në anën tjetër, në të gjithë Evropën, në vitin 2024 u konsumuan gjithsej 52.2 miliardë cigare të paligjshme – që korrespondon me një pjesë prej dhjetë për qind të tregut total.
Franca është veçanërisht e prekur: mbi dy miliardë cigare të paligjshme më shumë u konsumuan atje në vitin 2024 sesa në vitin e kaluar.
Mbretëria e Bashkuar renditet gjithashtu dukshëm mbi mesataren evropiane, me një përqindje prej 26 për qind.
Sipas KPMG, autoritetet në 38 tregjet e anketuara humbën gjithsej 19.4 miliardë euro në të ardhura tatimore. /Telegrafi