Mbretëria e Bashkuar e angazhuar për të njohur Palestinën si shtet, por qeveria nuk thotë se kur
Sekretari i Thesarit, James Murray, tha se qeveria britanike është “pa asnjë mëdyshje” në angazhimin e saj për të njohur Palestinën si shtet.
I pyetur nëse Britania do ta bëjë këtë në shtator së bashku me Francën, ai tha se është çështje “kur, jo nëse”.
Por ai shtoi se kjo duhet të jetë pjesë e “rrugës drejt paqes”, një mesazh që edhe kryeministri Sir Keir Starmer e ka përsëritur disa herë, shkruajnë mediat e huaja.
Në intervistën për emisionin Sunday Morning me Trevor Phillips, Murray u shpreh:
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për njohjen e Palestinës. Kjo është pa mëdyshje. Kryeministri e ka bërë të qartë këtë. Nuk është çështje nëse do ta bëjmë, por si ta bëjmë realitet shtetësinë palestineze”.
Ai shtoi se qeveria duhet të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për këtë njohje.
Më tej, Murray tha: “140 vende tashmë e kanë njohur Palestinën, por vuajtjet vazhdojnë. Ne duhet ta përdorim atë moment për të nxitur ndryshimin dhe për të arritur zgjidhjen me dy shtete – e vetmja mënyrë për një Izrael të sigurt dhe një shtet palestinez sovran. Kjo është rruga drejt paqes së qëndrueshme”.
Ai gjithashtu përsëriti thirrjen e qeverisë për një armëpushim të menjëhershëm, kthimin e pengjeve dhe lejimin e ndihmës humanitare. /Telegrafi