Tajlanda dhe Kamboxhia vazhdojnë luftimet

Pavarësisht thirrjeve për armëpushim të bëra nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, luftimet ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan edhe të dielën në mëngjes në zonën kufitare mes dy vendeve të Azisë Juglindore.

Ministria e Jashtme në Bangkok citoi një zëdhënës ushtarak, sipas të cilit forcat kamboxhiane hapën zjarr, duke goditur disa shtëpi të civilëve në anën tajlandeze të kufirit.

Nga ana tjetër, autoritetet kamboxhiane kanë akuzuar Tajlandën për agresion të njëanshëm. Sipas gazetës Phnom Penh Post, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, Mali Socheat, deklaroi se që nga orët e para të mëngjesit “forcat tajlandeze kanë përdorur artileri, dronë dhe avionë për të goditur me predha të rënda dhe bomba në territorin kamboxhian.”

Socheat po ashtu theksoi se në sulmet e raportuara janë dëmtuar edhe dy tempuj hindu me rëndësi kulturore dhe historike.

Thirrjet për paqe nga Uashingtoni

Presidenti amerikan, Donald Trump, ndërhyri në krizë të shtunën përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, ku deklaroi se pas bisedimeve telefonike me liderët e të dy vendeve, ata “ranë dakord të takohen menjëherë për të arritur një armëpushim dhe në fund, paqe të qëndrueshme.”

“Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje tregtare me asnjërin prej tyre nëse luftimet vazhdojnë – dhe ua kam bërë të qartë këtë,” tha Trump në një deklaratë të veçantë.

Shkaku i konfliktit

Përplasja mes Tajlandës dhe Kamboxhias lidhet me mosmarrëveshjet e vjetra për kufirin e përbashkët, i cili është caktuar gjatë periudhës koloniale dhe interpretohet në mënyra të ndryshme nga të dyja palët.

Konflikti ka përshkallëzuar që nga dita e enjte, duke rritur shqetësimet për stabilitetin rajonal dhe duke shtuar thirrjet ndërkombëtare për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve. /rtk