Bizneset kërkojnë politika të mirëfillta për zhvillimin e biznesit
Këtë vit mbi 6 mijë biznese të reja janë hapur, ndërkaq 55 janë mbyllur nga viti i kaluar deri në qershor të këtij viti. Përfaqësues të bizneseve thonë se të bërit biznes është vështirësuar në vend. Sipas tyre, shteti duhet t’i mbështesë më shumë bizneset, në mënyrë që të njëjtat mos të investojnë kapitalin e tyre në shtetet e tjera.
Lokale të shumta në kryeqytet kanë mbetur të zbrazura. Dikur në këtë zonë, në rrugën B, ka qenë e vështirë të hapësh biznes, pasi pothuajse të gjitha lokalet kanë qenë të zëna. Sot, në një pjesë të madhe të bizneseve janë të vendosura letrat me mbishkrime “Lokalet jepen me qira”.
Përfaqësues të bizneseve thonë se qiratë e larta dhe kushtet tjera jo të favorshme kanë bërë që bizneset të mos kenë interesim për këtë zonë. Që nga viti i kaluar e deri në qershor të këtij viti, sipas Administratës Tatimore të Kosovës, janë mbyllur 55 biznese. Prijnë ato të tregtisë me shumicë dhe pakicë, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, si dhe bizneset që merren me akomodim dhe shërbime ushqimore.
Nga ATK-ja i kanë thënë RTK-së po ashtu se gjatë vitit të kaluar janë hapur 12 mijë e 210 biznese, ndërsa këtë vit 6 mijë e 784. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, të bërit biznes në Kosovë është vështirësuar.
Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, tha për RTK-në se Kosova është duke humbur fuqinë punëtore, por edhe një pjesë të bizneseve që po marrin oferta nga shtetet e tjera.
Edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve thonë se bizneset nuk po mbështeten sa duhet nga shteti.
Përfaqësues të bizneseve kanë ngritur edhe shqetësime se, në rrethanat aktuale, Kosova rrezikon t’i humbasë edhe investitorët e huaj.