Ndihmat humanitare fillojnë të hyjë në Gaza pas shumë muajsh bllokadë

Izraeli ka thënë se është i përgatitur të krijojë korridore humanitare për të lejuar transportin e ndihmave nëpërmjet konvojeve të OKB-së në Gaza.

Në një deklaratë, Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) thanë se do të lejonin gjithashtu rifillimin e dërgimit të ndihmës humanitare nga ajri në Gaza.

Dërgesat e para përbëheshin nga shtatë paleta që përmbanin miell, sheqer dhe ushqim të konservuar të ofruara nga organizatat ndërkombëtare, shkruan BBC.

Njoftimi vjen mes presionit në rritje ndërkombëtar mbi Izraelin për të lejuar më shumë ndihmë në Gaza, pasi organizatat e ndihmës kanë paralajmëruar për uri masive në enklavë dhe raportime për njerëz që vdesin nga uria.

IDF tha se ka “filluar një sërë veprimesh që synojnë përmirësimin e reagimit humanitar në Rripin e Gazës dhe është “e përgatitur të zbatojë pauza humanitare në zonat me popullsi të dendur”.

Ajo mohoi atë që e quajti “pretendim të rremë për uri të qëllimshme në Rripin e Gazës”, pavarësisht provave në rritje.

Ajo gjithashtu deklaroi se kishte rifilluar furnizimin me energji të një centrali shkripëzimi në Gaza, i cili, tha se do të “shërbente për rreth 900,000 banorë në zonë”.

OKB-ja, grupet e ndihmës dhe disa nga aleatët e Izraelit kanë fajësuar vendin për krizën, duke bërë thirrje për hyrje dhe shpërndarje të pakufizuar të ndihmës në Gaza.

Ndryshe, Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet për Gazën që nga fillimi i marsit dhe rifilloi me kufizime të reja në maj.