Berisha: Kam votë pro në votim të hapur, Kurti s’po di zgjidhje të problemit
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se do ta votonte kandidatin e VV-së për kryetar kuvendi vetëm në votim të hapur.
Berisha tha se VV-ja nuk mund të llogaris në votën e tij në votim të fshehtë, pasi sipas tij, nuk lejon që të keqpërdoret sinqeriteti dhe vota e tij.
“E kam paraqitur votën time nëse kthehen në votim të hapur, si vullnet timin për ta zgjidhur këtë situatë. Unë nuk lejoj që të më keqpërdoret as sinqeriteti as vota ime”.
“Nuk munden ata të llogarisin në votën time, sepse të gjithë po vrapojnë për të marrë pushtet. Unë vetëm kam dashur ta zgjidhim problemin dhe këtë situatë që është bërë bajat”, tha Berisha, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai u shpreh se ngërçin politik, kreu i VV-së, Albin Kurti po të donte do të mund ta zgjidhte sonte, por sipas tij, Kurti nuk është i interesuar për zgjidhje
“Përndryshe, Kosova nuk është vetëm e imja dhe këtë problem mund ta zgjidh Albin Kurti tash me dashtë, por ky nuk po do të zgjidh problem. Më vjen keq që Kosova po hyn nga sonte në të panjohurën, nuk dihet çka do të ndodhë, është e mundur gjithçka”.
“Unë nuk kam shpresë që do të ndodhë diçka sonte, do të shkojë ashtu si deri tash. Unë votë të fshehur nuk hyj andej”.