Zjarre edhe në disa fshatra të Drenasit, apel qytetarëve: Mos digjni hamulloret – rrezik i lartë për përhapje flakësh

Temperaturat e larta dhe thatësia ekstreme kanë krijuar kushte alarmante për shpërthimin e zjarreve në zonat malore të Komunës së Drenasit.

Sipas një njoftimi zyrtar, gjatë ditës së sotme janë raportuar disa vatra aktive zjarri në disa fshatra të kësaj komune, përfshirë Llapushnikun, Komoranin, Nekocin, Gllobarin, Poklekun e Vjetër dhe Vasilevën.

Ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë qenë të menjëhershme në shumicën e zonave, por aktualisht, sipas autoriteteve, dy vatra – në fshatrat Vasilevë dhe Gllobar – mbeten aktive.

“Ekipet tona janë në terren, së bashku me zjarrfikësit e kompanisë Feronikeli, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve”, thuhet në njoftim.

Komuna e Drenasit ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e ekipeve zjarrfikëse, ndërsa ka bërë apel të fuqishëm për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë me rrezik të lartë.

Autoritetet lokale kanë kërkuar nga qytetarët të mos djegin hamulloret apo mbeturinat në ara, pasi në kushte të tilla klimatike, zjarret përhapen me shpejtësi dhe mund të rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin përreth.

Gjithashtu, në raste urgjente, qytetarët janë ftuar që të njoftojnë menjëherë institucionet përkatëse, në mënyrë që të evitohet përshkallëzimi i situatës.