Mick Jagger feston 82-vjetorin me stil, yjet e rockut dhe klani Gallagher në të njëjtin klub në Londër

Një mbrëmje e jashtëzakonshme rock-u u zhvillua në Londër, ku legjenda e Rolling Stones, Mick Jagger, festoi ditëlindjen e tij të 82-të me një festë luksoze, ndërsa klani Gallagher i grupit Oasis zbarkoi në të njëjtin vend për një festë pas koncertit të shumëpritur.

Jagger organizoi një mbrëmje plot yje në klubin privat “The Rex Rooms”, në bashkëpronësi të Jason Momoa, Marc Jacques Burton dhe Jason McNab.

Me stilin që e karakterizon, frontmeni i Rolling Stones u shfaq me një këmishë mëndafshi të bardhë, pantallona të zeza elegante dhe një xhaketë me detaje të rafinuara, shkruan DailyMail.

Në krah kishte partneren e tij prej shumë vitesh, balerinën Melanie Hamrick, e cila shkëlqente me një fustan të zi të shkurtë dhe taka elegante.

Në mesin e të ftuarve ishin bashkëpunëtorë të ngushtë si Ronnie Wood, por edhe personazhe të njohur si Sacha Baron Cohen dhe Jimmy Carr.

Ndërkohë, edhe vajza e Mick, supermodelja Georgia May Jagger, mori pjesë në festë e shoqëruar nga partneri i saj, skateboardisti Cambryan Sedlick.

Por, surpriza e mbrëmjes ishte prania e anëtarëve të familjes Gallagher, të cilët pas ribashkimit historik të Oasis në Londër pas 16 vitesh, rezervuan një dhomë në të njëjtin klub për të festuar suksesin e tyre.

Lennon (25 vjeç) dhe Gene Gallagher (24 vjeç), djemtë e Liam Gallagher, ishin mes të pranishmëve në këtë kombinim të papritur të dy prej emrave më të njohur të muzikës britanike.

Një mbrëmje ku brezat e rock-ut britanik u përplasën në një skenë të vetme, duke e kthyer “The Rex Rooms” në epiqendrën e showbiz-it për një natë të paharrueshme. /telegrafi