Juventusi arrin marrëveshje për kushtet personale me Sanchon

Juventusi ka arritur një marrëveshje me sulmuesin e Manchester United, Jadon Sancho, raportojnë mediat italiane, për një kontratë pesëvjeçare me vlerë gjashtë milionë euro në sezon, plus bonuse. 

Sipas asaj që është raportuar në edicionin e mëngjesit të sotëm të Corriere dello Sport, Sancho ka dhënë miratimin e tij për t’u bashkuar me ‘Zonjën e Vjetër’, ndërsa dy klubet janë ende në negociata për çmimin e kartonit të lojtarit. 

Manchester United kërkon 25 milionë euro për ish-lojtarin e Borussia Dortmund, ndërkohë që Juventusi aktualisht është i gatshëm të ofrojë vetëm rreth 18-19 milionë euro. 

Ndërkohë, Corriere thekson gjithashtu se marrëveshja është e lidhur me të ardhmen e Nico Gonzalez. 

Pas blerjes përfundimtare të Francisco Conceiçao për 32 milionë euro, Juventusi mund të detyrohet të shesë një tjetër sulmues për të balancuar financat dhe për të përmbyllur transferimin e Sanchos. 

Juventusi kërkon 30 milionë euro për Gonzalez, ndërsa për lojtarin janë të interesuar Al-Ahli, Inter dhe Atalanta. 

Megjithatë, lëvizja e Atalantas për lojtarin pritet të varet nga ndjekja e Inter për Ademola Lookman, dhe kështu të gjitha këto marrëveshje janë në një farë mënyre të ndërlidhura.