Zjarri në Pejë erdhi si pasojë e një konflikti mes dy familjarëve, dëmi rreth 50 mijë euro
Biznesi i pjesëve të makinave që u përfshi nga flakët këtë të shtunë në Pejë, dyshohet se erdhi si shkak i një konflikti mes dy familjarëve.
Njëri prej tyre dyshohet se ia ka vënë flakën veturave që ishin për pjesë rezervë, pas mosmarrëveshjes me familjarin tjetër.
Rastin për Klankosova.tv, pos Brigadës së Zjarrfikësve, e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 11:00, Policia është njoftuar për një zjarr në rrugën ‘Gani Daci’. Dyshohet se deri te zjarri erdhi si pasojë e një mosmarrëveshje mes dy familjarëve, ku njëri prej tyre ka shkuar në pllacin e tjetrit, ku ia ka vënë zjarrin disa makinave që ishin për pjesë. Sipas viktimës, dëmi është rreth 50 mijë euro”, tha Gashi.
Tutje, ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të policisë, ku po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.