Messi dhe Jordi Alba pezullohen me nga një ndeshje moslojë, kjo është arsyeja
Lionel Messi dhe shoku i tij i skuadrës te Inter Miami, Jordi Alba, janë ndëshkuar me një ndeshje moslojë për shkak se nuk morën pjesë në ndeshjen All-Star të Major League Soccer më herët këtë javë.
Të dy lojtarët munguan në ndeshjen e së mërkurës në Austin të Teksasit, ku skuadra e MLS-së shënoi një fitore 3-1 kundër Liga MX All-Stars të Meksikës, shkruan BBC.
“Sipas rregullave të ligës, çdo lojtar që nuk merr pjesë në All-Star Game pa miratimin paraprak të ligës nuk është i kualifikuar për të garuar në ndeshjen e ardhshme të klubit të tij”, tha MLS në një deklaratë.
Si rezultat, dyshja tani do të humbasë ndeshjen e ligës në shtëpi të Miamit kundër FC Cincinnati të shtunën.
Komisioneri i MLS-së, Don Garber, tha se pezullimi i Messit ishte një “vendim shumë i vështirë”.
Dyshja, të cilët luajtën së bashku edhe te Barcelona nga viti 2012 deri në vitin 2021, ishin gjithashtu pjesë e rrugës së skuadrës nga Miami drejt çerekfinaleve të Kupës së Botës për Klube.