Me Kodin e ri penal në Shqipëri, hapja e profileve false në rrjete sociale dënohet me burg

Personat që përdorin imazhin e dikujt tjetër pa pëlqimin e tij për të krijuar profile të rreme në rrjetet sociale apo në faqe të tjera komunikimi do të përballen me ndëshkime penale deri në burg.

Kështu parashikon drafti i ri i Kodit Penal të Shqipërisë, i cili në nenin 842 përfshin për herë të parë një dispozitë të posaçme për “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”.

Sipas këtij projektligji, kushdo që përdor pamjen e dikujt për të shpërndarë njoftime, për të hapur profile të rreme apo për ta paraqitur personin në mënyrë të pavërtetë dhe pa miratimin e tij, mund të dënohet me gjobë ose deri në tre vite burg, raporton “EuronewsAlbania”.

Masa penale parashikohet kur kjo sjellje shkakton ndjesi ngacmimi, përndjekjeje apo poshtërimi ndaj personit të dëmtuar.

Ndjekja penale në këto raste do të nisë vetëm me kallëzim nga ana e viktimës ose përfaqësuesit të saj ligjor.