“Një e mbyt tash doni edhe mu”, mërgimtari konfrontohet me Policinë [Video]

Një mërgimtar është konfrontuar verbalisht me Policinë e Kosovës, pasi ishte ndaluar gjatë një kontrolli.

Sipas qytetarit Eron Ademi, i cili i ka shkruar redaksisë së “Zërit”, ai ishte ndaluar pasi Policia dyshonte se vetura e tij ishte identifikuar ditë më parë duke shkelur rregullat e komunacionit, për cka Ademi nuk pranonte se kishte bërë një që të tillë.

Në një video që ka dërguar në “Zëri”, qytetari shihet duke xhiruar policinë derisa ata po legjitimonin veturën e tij, por zyrtarët policor kundërshtonin xhirimin edhe pse ishin në vend publik.

“E keni mbyt edhe një tash doni mem myt edhe mua”, dëgjohet duke ju thën policisë qytetari i cili tregon se nuk jeton në Kosovë dhe se vetura ishte me targa të huaja.

Më poshtë “Zëri” ju sjell videon e plotë dhe reagimin e plotë të qytetarit: 

“Sa herë do të na dhunojnë? Sa herë do të na shtypin e të na vrasin ata që janë betuar të na mbrojnë? Kjo nuk është siguri – kjo është frikë!”

Pas një viti plot vuajtje, punë dhe mërzi, më në fund morëm rrugën për në vendlindje, me gëzimin më të madh në zemër! Vozitëm mbi 30 orë dhe pritëm mbi 10 orë në kolonë, vetëm që të arrijmë në shtetin tonë, për të parë familjen dhe për të shijuar pak qetësi.

Sot, në orën 05:00 të mëngjesit, u nisëm për pushime me familje dhe shoqëri. Por në qytetin Shtime, një patrullë policie na ndoqi dhe na ndaloi. Me shumë respekt – si gjithmonë – bashkëpunova me policët pa bërë as edhe një kundërshtim të vetëm.

Policët morën dokumentet dhe më informuan se një veturë ishte parë më datë 23 korrik, rreth orës 2 të natës, duke iu ikur një patrulle policore – dhe se dyshohej se mund të ishte vetura ime. Menjëherë kërkova prova apo video, por nuk patën asnjë dëshmi për të më paraqitur.

Kjo sepse unë jam një person i drejtë, që gjithmonë i respekton rregullat e komunikacionit. Nuk ka asnjë mundësi që vetura ime të ketë qenë pjesë e një ndjekjeje policore apo ndonjë gare ilegale. Akuza e tillë është e pabazë dhe fyese.

Në atë moment humba besimin. Me të drejtë kërkova emrin dhe numrin e badxhit të policit. Ndërkohë, nxorra telefonin për të dokumentuar situatën – sepse policët filluan të më ofendojnë dhe të më bërtasin pa asnjë arsye. Sjellje e papranueshme, e paprovokuar dhe krejtësisht jashtë detyrës së tyre ligjore.

Vetëm pas 10 sekondash që po filmoja, njëri nga policët ma kapi telefonin me dhunë dhe më sulmoi fizikisht me taser elektrik dhe sprej lotsjellës (pepper spray). Në atë moment ndërhyri familja dhe shoqëria ime, ndërsa polici – nga frika e videove që ishin bërë – u tërhoq dhe ma ktheu telefonin.

E mora telefonin përsëri në dorë dhe vazhdova të regjistroj. Në atë moment shihet qartë vetëmbrojtja ime dhe gjendja e tensionuar. I kërkova familjes të thërrisnin një patrullë tjetër të policisë – dhe ashtu bënë.

Kur erdhi patrulla tjetër, a e dini çfarë u përgjigjën? “Ajo patrullë është shefi.” A do të thotë kjo se sepse është ‘shef’, ai ka të drejtë të na dhunojë, të na malltretojë, e ndoshta edhe të na vrasë? A ka pasur guxim ndonjë polic në kohën e okupatorit serb të sillej kështu me ndonjë shqiptar? Kurrë!

Turp! Marre për ata që e njollosin uniformën e policisë së Kosovës! Nuk është kjo Kosova për të cilën janë flijuar mijëra djem e vajza!

Unë jam djali i një veterani – babai im ka luftuar për këtë vend, që këta policë sot ta kenë Kosovën të lirë. Por me dhimbje them: ka ardhur koha kur disa policë nuk janë më për të na mbrojtur, por për të na frikësuar e dhunuar!

Turp! Turp i madh! Kjo nuk është liria për të cilën është derdhur gjaku!

Ju lutem, shpërndajeni këtë video sa më shumë! Nuk jam njeri që bëj dramë, por kjo që ka ndodhur është dhunë e pastër dhe keqtrajtim ndaj një qytetari të pafajshëm. Kjo nuk është drejtësi – kjo është shkelje e të drejtave njerëzore!

Sqarim:

Sa i përket fjalës “nuk jam shqiptar as kosovar” që e thashë në atë moment – dua ta sqaroj se nuk ishte kurrsesi nga mospërkatja ime kombëtare. E kam prejardhjen shqiptare dhe jam krenar për rrënjët e mia. Thjesht, në atë moment tensioni e frike, me shumë stres dhe panik, reagova keq dhe ngatërrova fjalët.