Mbi 90 mijë gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja në Gaza

Situata humanitare në Rripin e Gazës po përkeqësohet me shpejtësi.

Sipas raporteve nga organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet shëndetësore lokale, një e treta e popullsisë nuk ka ngrënë për ditë me radhë, ndërsa mbi 90 mijë gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute dhe kanë nevojë për trajtim mjekësor të menjëhershëm.

Nga 2 marsi, Izraeli ka vendosur një bllokadë të plotë ndaj ndihmës humanitare, duke penguar hyrjen e ushqimeve, ilaçeve dhe ujit të pijshëm.

Si pasojë, më shumë se 2 milionë banorë janë plotësisht të varur nga ndihmat ndërkombëtare, ndërsa vetëm një vakt ushqimi në çdo dy apo tre ditë është bërë realitet për shumë familje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për rritje të rrezikut të vdekjeve nga uria, veçanërisht tek fëmijët dhe gratë shtatzëna. Deri më tani, janë regjistruar të paktën 86 vdekje nga uria, përfshirë 76 fëmijë, ndërsa 18 prej tyre kanë ndërruar jetë vetëm në 24 orët e fundit.

Ekspertët shëndetësorë theksojnë se, përveç mungesës së ushqimit, edhe kushtet e jetesës, mungesa e ujit të pastër dhe përhapja e sëmundjeve po përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin publik në Gaza.

Apeli për ndihmë urgjente po shtohen, por bllokada dhe pasiguria në terren vazhdojnë të pengojnë çdo përpjekje për ndihmë efektive. /Telegrafi/