Zjarri në Delvinë: Shefi i policisë pëson djegie të shumta, lëndohen edhe disa policë

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se shefi i Komisariatit të Policisë në Delvin, Komisar Agim Troci, ka pësuar djegie të shumta gjatë përpjekjeve për t’i shpëtuar disa të moshuar që nuk mund të dilnin nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Në njoftim thuhet se në repartin e djegieve në QSUT, Komisar Trocin e ka vizituar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, teksa u bë e ditur se lëndime kanë pësuar edhe disa policë të tjerë.

“Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve”.

“Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut”.

“Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Policia e Shtetit tha se në fshatrat e përfshirë nga zjarri, Senicë, Vergo dhe Kopaçëz po vazhdon ndërhyrja intensive e shërbimeve të zjarrfikësve, emergjencës civile, policisë dhe ushtrisë për neutralizimin e vatrave garantimin e sigurisë së banorëve.

“Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin”.

“Policia po bashkëpunon me banorët dhe gjithë instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë”, thuhet në njoftim.