Rusia akuzon Merzin e Gjermanisë: Po e militarizon vendin, arsye serioze për shqetësim
Rusia ka akuzuar kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz, për ndjekjen e një rruge të “militarizimit”, duke e cilësuar këtë një zhvillim shqetësues.
Sipas Reuters, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në konferencën e saj javore për shtyp ka deklaruar se Gjermania ka ndjekur një politikë të hapur armiqësore ndaj Rusisë vitet e fundit, dhe se Merz po përshkallëzon retorikën antiruse “literalisht çdo ditë”.
“Kjo retorikë po bëhet gjithnjë e më agresive dhe militante. Ne besojmë se kursi që ai ka zgjedhur për të përshkallëzuar marrëdhëniet me Rusinë, paralelisht me militarizimin e detyruar të Gjermanisë, është një arsye serioze për shqetësim – para së gjithash për vetë qytetarët e Gjermanisë”, ka thënë Zakharova.
Kujtojmë se Merzi, një konservator që mori detyrën në maj, ka mbajtur një qëndrim më të ashpër në mbështetje të Ukrainës sesa paraardhësi i tij socialdemokrat Olaf Scholz, dhe ka premtuar rritjen e presionit ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
E nën drejtimin e tij, Gjermania synon të rrisë shpenzimet për mbrojtje deri në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2029, pasi sapo ka arritur objektivin e mëparshëm të NATO-s prej 2% në vitin 2024.