Gjobiten 63 shoferë në Gjakovë, vozitën nën ndikimin e alkoolit

Policia e Kosovës ka marrë një aksion operativ të quajtur “Alkooli”, me qëllim për të parandaluar ngasjen nën ndikimin e alkoolit dhe reduktimit të aksidenteve.

Aksioni u zhvillua për katër ditë në Gjakovë dhe gjatë kësaj periudhe janë testuar me alkool-test gjithsej 385 drejtues mjetesh, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se nga të testuarit, 63 shoferë kanë rezultuar se kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit.

Ndaj tyre Policia ka shqiptuar gjobë dhe masën e ndalimit të drejtimit të automjetit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë - Gjakovë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut, të shmangin çdo veprim që rrezikon sigurinë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për një ambient të sigurt rrugor. Çdo shkelje e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor do të sanksionohet sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim. /Zëri