Shumë lëndë në Apel, nga janari deri në qershor u pranuan mbi 13 mijë lëndë civile
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se në Gjykatën e Apelit një prej shqetësimeve serioze është mbetja e lëndëve në punë.
Në mbledhjen e 350-të të KGJK-së, ai tha se në këtë Gjykatë, në punë janë mbi 300 lëndë të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Lëndë që mbesin në punë është një prej shqetësimeve serioze. Realisht, mendoj që është një prej shqetësimeve serioze dhe që ka tregu dhe ngre diskutimin edhe për mungesën e konsistencës në planin strategjik për shkak se vazhdon fatkeqësisht me i pas mbi 300 lëndë të vitit 2022. Mund të jenë edhe 50, por po e marr me numrin maksimal 325 kur kalkulohet me 32 gjyqtarë i bie që do të kishte 10.1 lëndë në muaj. Pra, unë mendoj që Gjykata e Apelit me një diskutim të brendshëm me gjyqtarë të civiles fenomenin e vitit 2022 mundet me e eliminu nga lista me një dakordim të thjeshtë”, tha Zogaj.
Zogaj tha se aty ku nuk vlen mirëkuptimi, duhet të vlejë autoriteti, si dhe shtoi që është e nevojshme që kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve të shkurtohet.
“Mendoj që urgjentisht e kemi të nevojshme me e shkurtu kohëzgjatjen e synimit të lëndëve nga pesë në katër vite dhe pastaj nga katër në tre, duke shpresu që deri në fund të vitit me arrit në dy vite”, tha ai, duke shtuar se në raport janë raportu edhe lëndë që trajtohen e që janë nga viti 2021.
Duke folur për lëndët e zgjedhura në fushën kontestimore në periudhën përkatëse, Zogaj tha se është fenomen i diferencës së madhe të angazhimit të gjyqtarëve brenda divizionit të njëjtë.
Ai shtoi se brenda divizionit të njëjtë ka gjyqtarë që kanë performuar me 274 lëndë dhe tjerë që kanë performuar me më pak se 100 lëndë të fushës kontestimore.
Këtë deklarim, Zogaj e bëri duke folur për të gjeturat e raportit sa i përket perfomancës së Gjykatës së Apelit për periudhën janar-qershor 2025.
Ai tha se vazhdon të jetë problematike rastet civile, duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë pranuar mbi 13 mijë lëndë.
“Problematikat kryesore janë çështjet civile. Gjykata ka pranu gjatë kësaj periudhë 13 mijë e 199 lëndë, ndërsa ka zgjedhur 6 mijë e 218 lëndë që ka shkallë të efikasitetit në 47 %. Në Penale është 87% sepse ka pranu 1 mijë e 767 lëndë dhe ka përfundu 1 mijë e 533 lëndë. Në të ndryshme, shkalla e efikasitetit mbi 106 %. Në Kundërvajtje, po ashtu është mbi 120% sepse numri i lëndëve është më i madh se numri i lëndëve të përfundume. Tek Departamenti Administrativ ka pranu 644 lëndë dhe ka përfundu 517 lëndë. Në paraprake- penale gjendja është më e mirë është në shkallën përafërsish 100%”, tha ai.
Duke folur për përqindjen e lëndëve për secilën fushë në raport me ato të zgjidhura, Zogaj tha se në kundërvajtje është 120%, përmbarimore 133%, jokontestimore 55%, kontestimore 40% dhe administrative 80%.
Kurse, lidhur me përqindjen e lëndëve që janë në shqyrtim, Zogaj tha se në Departamentin Special janë 104%, atë për Krime të Rënda 94%, Penale të përgjithshme 84% dhe Penale për të mitur në 93%.
Zogaj tha se një çështje që është vërejtur gjatë këtij raporti janë çështjet që janë të kthyera në rishqyrtim. Tha se në Departamentin Special, shkalla e çështjeve të kthyera në rishqyrtim është 20%.
“Mendoj që meriton një analizë më të thellë dhe mund të ketë justifikime sepse çështjet janë më të vërtetë raste të reja që po trajtohen në praktikën gjyqësore dhe janë diskutime edhe përtej gjyqësorit, në këtë rast; sistemit prokurorial, Policinë etj.”, tha ai.
Sipas tij, tek Krimet e Rënda, rastet e kthyera në rishqyrtim janë 14%, Penale dhe të mitur është 4% dhe Penale e përgjithshme është 6%.
Zogaj tha se në penale kthimi i lëndëve në shkallë të parë është më i vogël sesa ato në civile.
Kryesuesi i KGJK-së u shpreh se në fushën civile, në kontestimore shkalla e çështjeve të kthyera në shkallë të parë është 23%. Ai tha se shkalla e kthimit të lëndëve në jo-kontestimore është 32%, e cila është shqetësuese për shkak të numrit të lëndëve.
Zogaj theksoi se në këtë periudhë, ka rënie tek lëndët e kthyera në fushën përmbarimore në raport me periudhën e mëparshme krahasuese. Ai tha se numri i lëndëve të tilla të kthyera në shkallë të parë është 13%.
Sipas tij, në administrative numri i lëndëve të kthyera është 9%, ndërsa në kundërvajtje është 13%. Tha se nuk ka konsistencë në shkakun e kthimit të çështjes në shkallë të parë.
“Edhe për gjyqtarë që punojnë brenda divizionit të njëjtë, madje mund të jenë pjesë e Kolegjit të njëjtë, kur iu prezantohet shkaku i kthimit të çështjeve në rishqyrtim, na rezulton që shkaku dallon shumë nga gjyqtari tek gjyqtari. Kemi për shembull për gjendjen faktike brenda divizionit të njëjtë që ka raportu 33 herë dhe kemi që ka raportu 0 dhe e kemi të kundërtën”, tha Zogaj, duke shuar se duhet të shqyrtohet kjo pjesë dhe të trajtohet, ndonëse është më shumë aspekt teknik.